Organizohet akademi përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së profesoreshës Prof.Ass.Dr. Shqipe Bajçinca-Brestovci

03 Prill 2024
SHARE

Akademia u organizua nga Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit - UP, Komiteti Olimpik i Kosovës - KOK, Federata e Hendbollit e Kosovës - FHK dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport - MKRS.

Universiteti i Prishtinës, sot, në një mbledhje komemorative, shënoi një ditë zie dhe pikëllimi, për të nderuar jetën dhe veprën e së ndjerës profesoreshë Shqipe Bajçinca - Brestovci. 

Dekani i Fakuktetit Prof.Asoc.Dr. Musa Selimi shpalosi jetën dhe vepren disa vjeqare të Profesoreshës Shqipe Bajcinca - Brestovci, kushtuar sportit dhe edukimit te brezave të ri. 

Akademia përkujtimore u organizua për të kujtuar pedagogen, senatoren dhe sportisten e dalluar, që la pas një trashëgimi të pasur akademike dhe sportive.

“Profesoresha Shqipe nisi rrugëtimin e saj të mësimdhënies, duke u bërë pjesë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, para më se dy dekadash dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka ofruar shembullin më të mirë të një profesoreshe të kompletuar, një punëtore të palodhshme sikur edhe të një figure të një intelektualeje e studiuese të shquar në fushën e edukimit fizik dhe sportit”, deklaroi në fjalën e tij rektori i UP-së.

Në fund të Akademisë për profesoreshën Bajçinca – Brestovci foli djali i saj, Gjergji:
“Për mua ishte nëna më e mirë. Më ka edukuar më së miri. Ndonëse u nda herët nga jeta, e jetoi jetën më të plotë të mundshme”, ka thënë ai.

Ajo njihet për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj arsimit dhe sportit, duke ofruar një shembull të profesoreshës së kompletuar dhe një figure intelektuale të respektuar.

Vepra dhe kontributi i saj do të mbeten gjithmonë të gdhendura në kujtesën e komunitetit akademik dhe sportiv, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet e atyre që e njohën dhe u frymëzuan nga ajo.

Përpos familjarëve, të pranishëm ishin: Dekani Prof.Asoc.Dr. Musa Selimi, Rektori i Universitetit të Prishtinës Prof.Dr.Qerim Qerimi, ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Çeku, , kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës z. Krasniqi, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, z. Saraçini, profesorë,studentë dhe të pranishëm të tjerë.

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit - UP dhe komuniteti më i gjerë akademik vazhdojnë të ndjejnë humbjen e profesoreshës Bajçinca-Brestovci, por janë të vendosur të nderojnë kujtimin e saj përmes vazhdimit të punës dhe idealeve që ajo përfaqësonte.