Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës do të jetë partner, përfitues dhe zbatues i transferimit në Kosovë të projektit ndërkombëtar „We Run”.
Projekti „We Run” ka në qendër fuqizimin e grave nëpërmjet sportit bazë, duke promovuar shëndetin dhe aftësitë e tyre me anë të krijimit të komuniteteve të sigurta që do të drejtohen nga vetë gratë. Ai financohet nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.
Ky model i suksesshëm në Austri, i zhvilluar nga organizata „261 Club Austria”, po zbatohet tani në Shqipëri dhe po përgatitet për transferim në Kosovë, me përfshirjen aktive të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit.
Projekti „We Run” do të bëjë:
Trajnimin e trajnereve të vrapimit në Shqipëri dhe Kosovë;
Krijimin e katër grupeve të vrapimit në dy rajone shqiptare;
Trajnimin e tri grave lidere për ta transferuar modelin në Kosovë;
Zhvillimin e planeve të qëndrueshme dhe strukturave afatgjata.
Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm për shtimin e numrit të grave e vajzave në sporte të ndryshme dhe ndërtimin e komuniteteve më të forta dhe të barabarta në rajon.
Universiteti i Prishtinës dhe fakultetet përbërëse të tij në vazhdimësi fitojnë grante ndërkombëtare për projekte të ndryshme, nga të cilat përfitojnë studentët dhe personeli mësimor i UP-së, por edhe qytetarët dhe shteti i Kosovës.