Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës ka nderin dhe kënaqësinë të mirëpresë Prof. Dr. Megan Chawansky (she/her) nga Otterbein University – Department of Health & Sport Sciences (HSS), e cila po realizon programin e saj Fulbright Specialist pranë fakultetit tonë.
Tema e programit: “Coaching through Conflict: Building Resilient Athletes”
Ky program është pjesë e Fulbright Award RFP, përmes së cilës Prof. Chawansky po zhvillon hulumtim mbi ndikimet pasluftës në mirëqenien mendore të qytetarëve të Kosovës, me qëllim që të identifikohen pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të konfliktit, të nxirren mësime të vlefshme dhe të vlerësohet efektiviteti i ndërhyrjeve ekzistuese.
Qëllimi kryesor i këtij studimi është të ofrojë udhëzime konkrete për forcimin e mbështetjes për shëndetin mendor në kontekste post-konflikti, me theks të veçantë në rolin e sportit si mjet për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe mirëqenies psikologjike.
Ky program financohet nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe implementohet nga United States–Kosovo Educational Exchange Board (USKEB), në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin akademik dhe shkencor midis institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara.
Fakulteti ynë është jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar që Prof. Dr. Chawansky ka zgjedhur Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit si institucionin ku do të realizojë këtë program prestigjioz.
Në takim morën pjesë menaxhmenti i Fakultetit, ku u shkëmbyen ide për bashkëpunime të ardhshme akademike, kërkimore dhe shkencore në fushën e sportit dhe shëndetit mendor.
Kjo vizitë përforcon lidhjet ndërkombëtare të Fakultetit dhe konfirmon rolin e tij në zhvillimin e projekteve me ndikim social dhe shkencor në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

