Sot, në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit (FEFS) u mirëprit Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj. Daulina Osmani. Kjo vizitë e rëndësishme u mbajt në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe atyre shtetërore, veçanërisht në fushën e edukimit fizik dhe sportit.
Një aspekt kryesor i diskutimeve ishte theksimi i nevojës për krijimin e mundësive më të mira për studentët, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, ofrimin e praktikave profesionale dhe angazhimin në organizata sportive. Gjithashtu, u diskutua për nxitjen e aktiviteteve që mund të kontribuojnë në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe aktive.
Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Prof. Asst. Florian Miftari, falënderoi Zëvendësministren Osmani për vizitën e saj dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë. Ai theksoi nevojën për mbështetje institucionale në realizimin e projekteve të fakultetit dhe projekteve të përbashkëta, duke nënvizuar rëndësinë e përmirësimit të kushteve për studentët dhe krijimin e mundësive që ata të zhvillojnë aftësitë profesionale.
Nga ana e saj, Zëvendësministrja Osmani, njëherësh ish-studente e këtij fakulteti, shprehu gatishmërinë e plotë për të mbështetur projektet dhe iniciativat e reja të FEFS-së, MKRS-së dhe projekteve të tjera nacionale siç është rasti me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo vlerësoi nivelin e lartë të fakultetit dhe mundësitë që ai ofron për zhvillimin e talenteve dhe profesionistëve të fushës së sporteve dhe njëkohësisht hartimin e programeve të reja prioritare të evidentuara në Ligjin për Sport dhe Strategjinë Shtetërore për Sport.