Sot, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve priti në takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hungari, z. Delfin Pllana. Takimi u karakterizua nga një atmosferë bashkëpunimi dhe diskutime të frytshme mbi çështje të rëndësishme që lidhen me edukimin fizik, sportin, mundësitë akademike dhe projektet ndërkombëtare në sport.
Gjatë këtij takimi, një nga temat kryesore ishte programi i bursave Stipendium Hungaricum, i cili ofron mundësi të shkëlqyera për studentët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë në Hungari. Po ashtu, u diskutua për bashkëpunimin me universitetet hungareze, me theks të veçantë në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve për rritjen e përvojave profesionale dhe akademike në fushën e edukimit fizik dhe sportit.
Gjithashtu, një pikë tjetër kyçe e diskutimit ishin projektet ndërkombëtare në sport dhe mundësitë për zgjerimin e tyre. U theksua rëndësia e përfshirjes në programe bashkëpunimi që ndihmojnë zhvillimin e sportit dhe promovimin e vlerave të tij në nivel ndërkombëtar.
Dekani e falënderoi Ambasadorin Delfin Pllana për vizitën dhe përkushtimin e tij në zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kosovare dhe atyre hungareze, duke shprehur besimin se këto iniciativa dhe projektet e përbashkëta do të sjellin përfitime të ndjeshme për studentët dhe stafin akademik, veçanërisht në fushën e sportit dhe edukimit fizik.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë në fushën e edukimit, sportit, shkencës dhe projekteve ndërkombëtare.