Vizita e Udhëheqësve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

23 Tetor 2024
SHARE

Sot, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u zhvillua një takim ndërmjet udhëheqësve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit të Universitetit të Prishtinës dhe te përfaqësuar nga dekani Prof. Dr. Florian Miftari, prodekanët Prof. Dr. Malsor Gjonbalaj dhe Prof. Dr. Faton Tishukaj, si dhe sekretari Gani Ibrahimi dhe atyre të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, të përfaqësuar nga zëvendësministrja e Sportit, znj. Daulina Osmani, një ish sportiste e dalluar dhe ish-studente e shkëlqyer e Fakultetit tonë.

Gjatë takimit, dekani Miftari shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për avancimin e sportit në vend, si dhe në edukimin e kuadrove ne këtë fushë.

Në takim u diskutua roli kyç që Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sporteve luan në zhvillimin e sportit në vend, si dhe rëndësia e bashkëpunimit strategjik me Ministrinë. U theksua gjithashtu nevoja për organizimin e punëtorive të përbashkëta, të cilat do të shërbejnë si platformë për diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dhe për hartimin e projekteve të përbashkëta që synojnë përmirësimin e edukimit dhe praktikës sportive në nivel kombëtar.