Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, pati kënaqësinë të mirëpresë sot Kryetarin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, z. Altin Sahiti, në një vizitë zyrtare.
Takimi ishte një mundësi e rëndësishme për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe fakultetit tonë, duke theksuar rëndësinë e rolit të kësaj njësie akademike në fushën e sportit dhe edukimit fizik.
Z. Sahiti përgëzoi menaxhmentin aktual të FEFS për angazhimin dhe rezultatet e arritura, duke vlerësuar punën e palodhur që është bërë në drejtim të zhvillimit të programeve akademike dhe hulumtimeve shkencore.
Ai inkurajoi fakultetin për të vazhduar me këtë ritëm dhe për të forcuar më tej mbështetjen ndaj studentëve dhe stafit akademik në avancimin e sportit dhe shkencës së sportit.
Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte roli i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në organizimin dhe mbështetjen e Lojërave Mesdhetare 2030, të cilat do të mbahen në Prishtinë. FEFS pritet të luajë një rol qendror në këtë ngjarje madhore sportive, duke ofruar ekspertizë dhe kapacitete të jashtëzakonshme për realizimin e një evenimenti të suksesshëm.
Vizita e z. Sahiti konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ndaj Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, duke theksuar rëndësinë e kësaj njësie akademike në edukimin e brezave të rinj dhe në promovimin e sportit si një vlerë themelore për zhvillimin e shoqërisë.