Njoftim për Takimin e Bordit Industrial në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit

01 Tetor 2023
SHARE

Takimi i Bordit Industrial në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit u mbajt me sukses më datë 21.09.2023 me qëllim të lidhjes së industrisë me tregun e punës, punësimin e studentëve dhe krijimin e programeve të reja inovative. Takimin e hapi Rektori i Universitetit, Z. Qerim Qerimi, i cili shprehu vlerësimin e tij për kontributin dhe idetë e trupës këshilldhënëse të prezantuar në këtë takim.

Pas fjalës së Rektorit, Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Z. Musa Selimi, falenderoi trupën këshilldhënëse për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe kontributin e tyre në zhvillimin e fakultetit. Dekani theksoi rëndësinë e lidhjes së ngushtë me industrinë dhe tregun e punës për të siguruar një përvojë më të pasur për studentët dhe për të zhvilluar programe më të përshtatshme të edukimit.

Gjatë takimit, kryetari i Bordit Industrial, Z. Blerand Stavileci, dhe nënkryetari, Z. Besim Aliti, prezantuan idetë dhe sugjerimet e tyre për të përmirësuar lidhjen midis fakultetit, industrisë dhe tregut të punës. Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e punësimit të studentëve dhe hapat për të krijuar programe të reja që do të përgatitnin studentët për sfidat e tregut të punës.

Antarë të ketij bordi ishin edhe personalitete të njohura në fushën të ndryshme në lamin e sportit dhe industries sësaj, si z. Granit Rugova, drejtor i departamentit për sport në Komunën e Prishtinës, z. Sami Sopa nga kompania me e madhe vendore për veshëmbathje S/Sprint, zonja Elena Cena, përfaqësuese e Five Star Fitness (një nga qendrat më të mira të fitnesit në Kosovë), dhe z. Labinot Salihu nga KUSA.
Takimi i Bordit Industrial ishte një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të bashkëpunimit midis fakultetit dhe industrisë, duke ofruar më shumë mundësi për zhvillim dhe punësim të suksesshëm për studentët tanë. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit vlerëson kontributin e çdo pjesëmarrësi në këtë takim dhe është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin në të ardhmen. Në fund të takimit, prorektorja znj. Njomza Llulaku, së bashku me prodekanin për mësim, z. Florian Miftari, dhe stafin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, vizituan objektet e fakultetit për të identifikuar nevojat e infrastrukturës së domosdoshme të fakultetit dhe për të hartuar plane për përmirësimin e saj në të ardhmen.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt përparimit dhe zhvillimit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit dhe kontributit të tij në fushën e edukatës fizike dhe sportit në Kosovë.

Nga FEFS.